Skip to main content
Protected by Copyscape

Refleksione mbi jetën e një Mjeku




“Rruga e shumicës është e lehtë, kjo e jona e vështirë”


Myftar Barbullushi

Rruga e “të bërit mjek”, rrugë malore, me dredha dhe për më tepër jashtëzakonisht e gjatë dhe e vështirë. Një rrugë që zë fill me jetën studentore, e cila kushtëzohet nga një studim sistematik prej të paktën 4-5 orësh në ditë, me kushtin që duhen gjetur disa kocka skeletesh për studim, dhe jo rrallëherë duhet qëndruar me orë përpara kufomave. Nuk e di se pse, por kjo rrugë gjithmonë e më shumë më ngjan me rrugën e mundimshme të Sizifit me gurin e tij.
Nëse do më kërkohej ta bëja përsëri, nuk jam i bindur nëse do të mund ta gjeja forcën për ta përballuar atë. Vetëm duke e menduar, ndihem i lodhur. Nëse do më kërkohej të zgjidhja një rrugë tjetër, nuk e di a do të më mungonte ajo “drogë”, ajo “magji” e veçantë që ofron rruga e të bërit mjek.  Sa e sa legjenda mbushin atmosferën e jetës studentore mbi diagnoza të vëna si me magji në pak sekonda nga mjekë me emër.

-Përse ju nuk thelloheni në elementet diagnostike e laboratorike, por nxitoheni në vënien e diagnozës? – i thoshte zv.ministrja e Shëndetësise doktor Theodhosit.
– Keni të drejtë, – u përgjigj mjeshtri plak, – por unë nuk rri dot pa folur kur në sytë tuaj shoh që ju vuani nga hepatiti, verdhëza. – Dy ditë më pas, pasi bëri të gjitha analizat, ajo i kërkoi falje që e kishte përzënë nga zyra.
“Që ta kuptosh se sa e bukur dhe e vështirë është mjekësia, duhet te merresh me të”, thotë Avicena.

Le të përpiqemi të “udhëtojmë” në jetën plot dritëhije të një mjeku, nga dita e parë e punës, në ditën e parë të pensionit.

Kontakti i parë i mjekut me të sëmurin është si të të zhysin me kokë në ujë. Ti hyn në një botë të huaj, ku jo rrallë kanë vendosur prindërit e tu, dhe jo ti vetë, ku përballesh me vështirësi dhe eksperienca të jashtëzakonshme dhe ku fatkeqësisht rregullat që përcaktojnë reagimet ndaj këtyre eksperiencave janë të paqarta.

Në 2005-n shkrimtari David Foster Ëallace tregoi historinë e dy peshqve të rinj që po notonin. Një peshk i vjetër, teksa notonte pranë tyre, i përshëndet: “Mirëmëngjes, djema. Si është uji?” Ndërsa notonte, njëri prej peshqve të rinj i thotë tjetrit: “Për çfarë dreq uji flet ky?”.  

Ishte e tmerrshme, – më thotë një mjeke që sapo kishte filluar punë, – kur pacienti që ndoqa gjatë gjithë natës vdiq dhe për më tepër asnjërit nga ju, mjekët më të vjetër, nuk ju bëri përshtypje. Kjo më bëri të mendoj se mbase nuk duhej të përfshihesha aq shumë emocionalisht në sëmundjen apo vdekjen e pacientit. Por, kur mbas disa ditësh, duke parë përjetimin tuaj për humbjen e një pacienti, jo vetëm që u ndjeva e lehtësuar, por kjo gjë më bëri të mendoj se sjellja ime kishte qenë normale”.

Kjo histori tregon qartë se sa vulnerabël janë mjekët e rinj ndaj influencës së sjelljeve që kundërshtojnë sistemin e tyre të besimit. Në fillim të punës, shumica e tyre do ta perceptonin si të pakonceptueshëm faktin që ata të mund e mos prekeshin nga emocioni i një vdekjeje. Gjithsesi, pavarësisht se impakti është i fortë, ngadalë-ngadale përvoja bëhet diçka natyrale dhe ata së bashku me punonjësit e tjerë të spitalit zhvillojne një sërë mekanizmash mbrojtëse apo disa mënyra përshtatjeje. Ata e distancojnë veten nga dhimbja e sëmundjes apo vdekjes nëpërmjet angazhimit të thellë në sfidat biomjekësore që kërkon diagnoza dhe trajtimi, si dhe nëpërmjet marrjes pjesë në grup në një formë humori mjekësor të sofistikuar.  Dhe vjen një ditë që fillon të ndihesh edhe i imunizuar ndaj fenomeneve të vuajtjes së përditshme nga e cila rrethohesh. Por gjithsesi, momentet rastësore na kujtojnë që vazhdojmë të jemi të zhytur në ujë. Sfida është t’i mbledhim ato në një mënyrë kuptimplotë, të kalojmë kohë me to, të çlodhemi me to, të lejojmë që diskomfortit që ata sjellin të ambjentohet brenda nesh. Transformimi i të jashtëzakonshmes  në diçka të rëndomtë, e ngjashme me mësimin e notit, është pasojë e paevitueshme e jetës së një mjeku, një mekanizëm mbijetese. Pasioni, puna shkencore dhe ajo klinike, përvojat pozitive dhe negative, ndarja me mjekët më të vjetër e refleksioneve  personale dhe e konsideratave në të cilat ata përfshihen së bashku, i fuqizon ata që jo vetëm të marrin nën kontroll këtë transformim, por ta përdorin atë në rritjen e kujdesit të të sëmurit me profesionalizëm, dhembshuri e të përfshirë emocionalisht.  Duke qenë të kujdesshëm për momentet e komplikuara, sfiduese dhe  të mrekullueshme që përcaktojnë jetët e mjekëve, sidomos të atyre që sapo janë zhytur në detin e pafund të profesionit mjek, ne mund ta ushqejmë këtë vetëdije thelbësore. Mund të fillojmë thjesht duke i parë ata në sy, më pas duke shikuar përreth nesh: “Ky është uji, koleg, zhytu! Nëse nuk do të guxoni, ju kurrë nuk do të mësoni të notoni” .

Kalojnë vitet dhe ti kur kujton se përshtatesh, fillon të kuptosh se mjekësia ka qenë e do të mbetet një fushe sfidash prej të cilave nuk do të ndahesh dot kurrë. Shpejt rritet përgjegjësia, përkushtimi, detyrimet dhe më e vështira: raportet njerëzore. Duhen jo pak përpjekje në mbajtjen e ekuilibrave sociale. Raporti me të sëmurët, që jo rrallë kanë humbur shpresën për të jetuar, mbart dhimbje dhe përgjegjësi. Gjithsesi, sfidat klinike dhe intelektuale janë të bukura dhe në moshë të re janë sporti më i mirë i mendjes dhe i nxitjes për të ecur përpara. Për fat, përveçse sfidë, të jesh mjek do të thotë edhe privilegj, pasi sfida në vetvete ka dhe privilegjin. Në jetën e një mjeku asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës. Progresi i shpejtë i saj është ilaçi më i mirë për të mbajtur mendjen të freskët dhe aktive. Por jo rrallë intensiteti emocional kthehet në stres i cili i hap rrugën depresionit.
Kalojnë vitet dhe bashkë me to rritet gjithmonë e më tepër egoja profesionale, dëshira për të hapur shtigje të reja. Krenaria për të bërë, për të hapur rrugë të reja, me tharmin e sfidës brenda saj, është më e fortë se çdo ndjenjë tjetër. Nga ana tjetër, më pas, konkurrenca brenda llojit, pra specialiteteve, duke tentuar të frenojë në fakt shtyn përpara më shumë se pavarësia individuale e një specialisti të vetëm në një rreth të caktuar. Detyrimet për të ruajtur vendin e punës dhe puna mësimore me studentët përbëjnë një element tjetër shtysë për të “vrapuar” përpara. Në fakt, një mjek i mirë duhet të dijë të integrojë kualitetet e tia shkencore, klinike dhe etike, në mënyrë që të japë më të mirën për të sëmurin e tij. Por që të ketë ç’të integrojë, do një “mal” me sakrifica e kosto gjatë gjithë jetës së tij. Dijet e marra nga shkolla mjaftojne vetëm 2 vjet për një mjek të përgjithshëm dhe vetëm 1 vit për një specialist, pasi zhvillimet e vrullshme shkencore janë si një tren i shpejtë që, po nuk e kape, ke mbetur në vend. Pra, mjek i mirë nuk lind, por bëhesh. Bëhesh si çdo gjë tjetër, përmes punës së madhe. Ky është çmimi që duhet të paguash për të arritur këtë qëllim apo çdo qëllim tjetër. Gjithsesi, kam përshtypjen që barra më e madhe që jeta i vë përpara mjekut, është problemi e etikës, moralit. Nuk është kollaj të jesh njeri i etikës.

Kalojnë vitet dhe herë pas here ti kthen kokën pas e tenton të bësh ndonjë bilanc, të paktën moral, për zgjedhjen tënde apo të prindërve të tu. E kam të pamundur të them që ky bilanc më rezulton pozitiv apo negativ. Pikërisht këtu fillon dilema. Në momente kritike të shëndetit mjekët kthehen në zota dhe i falemi hyjnisë së tyre, duke u ofruar trupat dhe shpirtrat tanë, pa ditur kostot që ata paguajnë për këtë privilegj që u bëjmë. Pikërisht ky pushtet, së bashku me magjinë e vënies së diagnozës, janë “droga” që në rini të nxit të zgjedhësh këtë profesion. E prapë se prapë, paradoksalisht, ata janë qeniet më të brishta njerëzore. Jetëgjatësia e tyre është më e ulëta, së bashku me njerëzit e ligjit. Shkalla e vetëvrasjes dhe e varësisë ndaj drogës, ndër ta, është disa herë më e madhe se mesatarja. Orë e orë pranë librave, të sëmurëve, në klinikë apo spital, natë apo ditë, do të mjaftonin për t’u kërcënuar integriteti familjar, produkti familjar, fëmija. Divorcet dhe problemet e edukimit të fëmijëve të tyre janë një shqetësim e realitet. Pa harruar kontaktin real me gjakun, urinën, virozat e pse jo tuberkulozin apo SIDA-n. Është kjo arsyeja që jo me kot, ata konsiderohen me plot të drejtë si “shëruesit e sëmurë”. A e përligj këtë sakrificë të tyre nëpërmjet një trajtimi të veçantë shoqëria e sidomos shoqëria shqiptare?

“Pasi mora librezën e pensionit në spitalin ku kisha punuar 40 vjet, – rrëfen një profesor amerikan, – u nisa të kthehem për në shtëpi. E çuditshme! Pemët, dyqanet, trotuaret, fasadat e pallateve, kalimtarët më ofronin aq gjëra të veçanta që unë megjithëse e kisha bërë këtë rrugë prej 40 vjetësh, i shihja për herë të parë. Siç duket ishte hera e parë që nuk nxitoja, e para herë që ecja pa shqetësimin e zakonshëm të një mjeku për natën e kaluar nga i sëmuri në gjendje të rëndë, e para herë që kisha kohë të merresha me gjëra të tjera, të vogla, por  jo të parëndësishme në jetë, e para herë që kisha kohe të mendoja se sa shumë gjëra kisha humbur në sakrificën time për jetët e të tjerëve”.

Nuk e di sepse duke shkruar këto rreshta m’u kujtuan disa profesorë shqiptarë për meritën në edukimin profesional të shumë gjeneratave dhe për faktin që kishin vdekur në anonimat të plotë, deri dhe nga qarqet spitalore. E dhimbshme.  A e përligj këtë sakrificë të tyre nëpërmjet një trajtimi të veçantë shoqëria e sidomos ajo shqiptare?
Në këtë botë asnjë nuk mund të vërë pikë. Ekziston vetëm pikëpresje. Nuk mund të kemi iluzione: duhet t’ua lëmë vendin të tjerëve.

Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon Gazetën Shëndeti dhe kritikën tonë. Ndihmoje Gazetën Shëndeti - Mbështete median e pavarur kombëtare. Bëni donacion ose klikoni në reklama sepse me këtë mundësoni që kjo Gazetë të qëndroj online.


Reklama
loading...
Lexo edhe:

Postime e popullarizuara gjatë një jave

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Zbulohet sa është vlera e pagave që marrin infermierët e Kosovës në Gjermani

Klinika ku punojnë 7 shqiptarë të Kosovës, ndër 10 klinikat më të mira në Gjermani për trajtimin e infarktit trunor

Skandaloze: Nëse të dhemb barku(kolikë abdominale) mjekët në Kosovë të udhëzojnë menjëherë te Kirurgu Abdominal për operacion

QKUK dhe Spitalet Rajonale me mungesë të Anesteziologëve

Ja kush ishte Kirurgu i parë shqiptar në Kosovë

Të punosh si Mjek në Kosovë!

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe mosha mesatare e mjekëve të mbetur në Kosovë

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Të jesh a të mos jesh mjek

Postime e popullarizuara gjatë një muaji

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Skandaloze: Në Emergjencën e QKUK-së hapen raporte për kontrollë pa udhëzimin e mjekut

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Klinika ku punojnë 7 shqiptarë të Kosovës, ndër 10 klinikat më të mira në Gjermani për trajtimin e infarktit trunor

Skandaloze: Mjekët e Klinikës Emergjente kujdestarojnë 12 orë por paguhen për 24 orë

Në QKMF dhe Emergjencë (Mjekësi Familjare) shkelen të drejtat e punëtorëve

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe mosha mesatare e mjekëve të mbetur në Kosovë

Zbulohet sa është vlera e pagave që marrin infermierët e Kosovës në Gjermani

Të punosh si Mjek në Kosovë!

Kjo nënë kosovare i krahason mjekët dhe infermierët në Neonatologji me engjëj

Postime e popullarizuara që nga fillimi

6 arsye për të mos studiuar Mjekësinë

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Skandaloze: Në Emergjencën e QKUK-së hapen raporte për kontrollë pa udhëzimin e mjekut

Studim: Vitamina C në doza të larta shkatërron tërësisht kancerin

Pagat vjetore të Presidentit, Kryeministrit, Kirurgut, Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në vendet e ndryshme të botës

Dr. Leonard Bytyçi reagon ndaj postimit të Adriatik Kelmendit

Klinika ku punojnë 7 shqiptarë të Kosovës, ndër 10 klinikat më të mira në Gjermani për trajtimin e infarktit trunor

Mjeku shqiptar me 112 punime shkencore dhe gjashtë tekste universitare të publikuara

Dr. Gupta thotë, Askush nuk duhet të vdesë nga kanceri përveçse nga pakujdesia