Skip to main content
Protected by Copyscape

Të jesh a të mos jesh mjek




Shkruan: MYFTAR BARBULLUSHI - Nefrolog në Pavijonin e sëmundjeve të veshkave e të dializës



Të bëhesh mjek” duket se të shpie në rrugë malore, me dredha e, për më tepër, në një rrugë jashtëzakonisht të gjatë dhe të vështirë. Kjo zë fill me jetën studentore, e cila kushtëzohet nga një studim sistematik, të paktën 4-5 orë në ditë, kur duhen gjetur edhe kocka skeletesh për studim apo duhet qëndruar me orë përpara kufomave.  Nuk e di pse, por kjo më ngjan shumë me rrugën e mundimshme të Sizifit e gurin e tij. Nëse do të më kërkohej ta bëja përsëri, nuk jam i bindur. se do të mund të gjeja forcën për ta përballuar këtë rrugëtim. Por, nga ana tjetër, nëse do të më kërkohej të zgjidhja një tjetër rrugë, nuk e di a do të gjeja sërish atë “drogë”, atë “magji” të veçantë që ofron rruga e formimit të mjekut.

Më lejoni t’ju ftoj të “udhëtojmë” virtualisht në jetën plot dritë e hije të një mjeku, nga dita e parë e punës në ditën e parë të pensionit.
Sa ëndrra e legjenda mbushin jetën studentore mbi diagnoza të vëna si me magji në pak sekonda nga mjekë me emër!
– Përse ju nuk thelloheni në elementet diagnostike e laboratorike, por nxitoheni në vënien e diagnozës? – i thoshte zv.ministrja e Shëndetësisë në vitet 70’, doktor Theodhosit.
– Keni të drejtë, – u përgjigj mjeshtri plak, – por unë nuk rri dot pa folur kur në sytë tuaj shoh që ju vuani nga hepatiti, verdhëza.
Dy ditë më pas, kur u bënë të gjitha analizat, ajo i kërkoi falje që e kishte përzënë nga zyra. Ne, studentët ëndërrimtarë, u mrekulluam. Ëndrra vazhdoi gjatë, shpesh pa e ditur pse shumë prej këtyre ëndrrave nuk bëhen kurrë realitet.

Asgjë normale, ose të paktën natyrale, nuk kujtoj kur vura për herë të parë këmbën në spital: korridore të gjata, të lyera me bojë vaji, gjithmonë të ndriçuara, rrëmujë bluzash të bardha dhe familjarësh, pizhame me vija që të kujtonin të burgosurit dhe një përzierje e çuditshme e erës së ilaçeve me erën e ndenjur të çarçafëve të spitalit. Kjo panatyrshmëri ishte veçanërisht e dukshme për mua kur i rruar e i veshur me kujdes, por nervoz dhe i etur për të mësuar, hyra si student i vitit të tretë të Mjekësisë në ditën time të parë të ciklit të kirurgjisë. Ndërsa bashkohesha me grupin, një mjek i ri, kapadai në dukje, apo i krekosur para vajzave të bukura të kursit tim, me këmbët kryqëzuar mbi tryezë dhe me kafen e natës së mëparshme në dorë, i thoshte kolegut më të vjetër duke i përshkruar një rast të ndjekur gjatë rojës së natës: “Ai erdhi me një dhimbje të lehtë barku dhe përfundoi me infarkt në kardiologji”. Ky përshkrim më tingëlloi asokohe si për të qeshur. Çuditërisht ai ndjehej shumë komod teksa na shpjegonte ne simptomat, ndërsa mua më dukej se ora e mësimit s’do të mbaronte kurrë. Nëse do të përpiqesha të përmblidhja emocionalisht jetën studentore, do të më mjaftonin refleksionet personale, të paharruara edhe sot, për përvojën time të parë në spital, të cilat janë sa qesharake, aq dhe naive, edhe pse në atë kohë mbartnin emocion dhe shumë përgjegjshmëri. Me dy fjalë, ajo që kujtoj nga ato fillime është sa qesharake, aq edhe tronditëse. Kam parë foshnjë 24-orëshe të vdesë. Kam parë njerëz të zhveshur në lakuriqësi e të veshur me siklet. Kujtoj autopsinë e një gruaje të re të vetëhelmuar nga një dështim në dashuri. Kam pritur një bebe vetëm fare, pasi mjeku roje po flinte.

Kanë kaluar shumë vite dhe rrëmuja nëpër korridore më duket se është qetësuar shumë, edhe era e  barnave dhe e plaçkave të spitalit më është bërë shumë familjare, madje as vijat e pizhameve nuk ma tërheqin më vëmendjen, në mos qofshin të grisura. Por, përtej këtij familjarizimi, kontakti i parë i mjekut të ri me të sëmurin është si të të zhysin me kokë në ujë. Hyn në një botë të huaj, për të cilën, jo rrallë, kanë vendosur prindërit e tu dhe jo ti vetë, ku përballesh me vështirësi dhe përvoja të jashtëzakonshme, ku fatkeqësisht rregullat që përcaktojnë reagimet ndaj këtyre përvojave janë të paqarta. Hyn në një botë ku sëmundja dhe vdekja rrinë këmbëkryq së bashku, pavarësist nga dëshira jote donkishotiane për t’i “ndarë”.

Gjithsesi, përtej traumës së rëndë që shkaktojnë humbjet e jetës së pacientëve, përvoja e forcon mjekun dhe ai së bashku me punonjësit e tjerë të spitalit zhvillon një sërë mekanizmash mbrojtëse apo disa mënyra përshtatjeje. Transformimi i së jashtëzakonshmes në diçka të rëndomtë, e ngjashme me mësimin e notit, është pasojë e paevitueshme në jetën e një mjeku, si një formë mbijetese. Pasioni, puna shkencore dhe ajo klinike, eksperiencat pozitive dhe negative, ndarja me mjekët më të vjetër e mendimeve dhe emocioneve personale i fuqizojnë ata që jo vetëm të marrin në kontroll këtë transformim, por ta përdorin atë në rritjen e kujdesit ndaj të sëmurit me profesionalizëm e dhembshuri.

Gjithsesi, i vetëdijshëm për vështirësitë e komplikuara e sfidat e mrekullueshme që përcaktojnë jetët e mjekëve, sidomos të atyre që sapo janë zhytur në detin e pafund të profesionit, përvoja shumëvjeçare më ka shtyrë jo vetëm që ta ushqej këtë vetëdije esenciale, por edhe  t’u përcjell kolegëve, tashmë të rinj, një mesazh, ma do mendja të dobishëm, për vitet e mia të rinisë profesionale. Thjesht duke i parë ata në sy, më pas duke vështruar përreth: “Ky është uji, koleg, zhytu. Nëse nuk do të guxoni, ju kurrë nuk do të mësoni të notoni” .

Kalojnë vitet e rritet përgjegjësia, angazhimi, shtohen detyrimet dhe më e vështira, komplikohen raportet njerëzore. Marrëdhënia me të sëmurët, që fatkeqësisht kanë humbur shpresën për të jetuar, mbart dhimbje dhe përgjegjësi. Barra më e madhe që jeta i vë përpara mjekut janë probleme të etikës, të moralit. Nuk është e lehtë të jesh njeri i etikës. Gjithsesi, krenaria për të bërë, për të hapur rrugë të reja, me tharmin e sfidës brenda saj, është më e fortë se çdo ndjenjë tjetër. Për fat, përveç se sfidë, të jesh mjek do të thotë edhe privilegj, pasi sfida në vetvete mbart dhe privilegjin. Në jetën e një mjeku  asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës. Progresi i shpejtë i saj është ilaçi më i mirë për të mbajtur mendjen të freskët dhe aktive. Fatkeqësisht, jo rrallë, intensiteti emocional prodhon stres, i cili i hap rrugën depresionit.

Kalojnë vitet dhe herë pas here t’i kthen kokën pas e tenton të bësh ndonjë bilanc, të paktën moral, për zgjedhjen tënde apo të prindërve të tu. E kam të pamundur të them që ky bilanc më rezulton pozitiv apo negativ. Pikërisht këtu fillon dilema. Në momente kritike të shëndetit mjekët kthehen në Zot dhe ne i falemi hyjnisë së tyre duke u ofruar trupat dhe shpirtrat tanë, pa ditur kostot që ata paguajnë për këtë privilegj që u bëjmë. Pikërisht ky pushtet, së bashku me magjinë e vënies së diagnozës, janë “droga” që në rini të nxit të zgjedhësh këtë profesion. E prapë se prapë, paradoksalisht, ata janë qeniet më të brishta njerëzore. Jetëgjatësia e tyre është më e ulëta, së bashku me njerëzit e ligjit. Shkalla e vetëvrasjes dhe e varësisë ndaj drogës, ndër ta, është disa herë më e lartë se mesatarja. Orë e orë pranë librave, të sëmurëve, në klinikë apo spital, natën apo ditën, do të mjaftonin për të cenuar integritetin familjar, produktin familjar, fëmijën. Divorcet dhe problemet e edukimit të fëmijëve të tyre janë një shqetësim e realitet. Pa harruar kontaktin real me gjakun, urinën, virozat e, pse jo, tuberkulozin apo SIDA-n. Është kjo arsyeja, që jo më kot, ata konsiderohen me plot të drejtë si “shëruesit e sëmurë”. A e përligj këtë sakrificë të tyre, nëpërmjet një trajtimi të veçantë, shoqëria, e sidomos shoqëria shqiptare?

Kalojnë vitet dhe ti kupton se në këtë botë asnjë nuk mund të vendosë pikë; ekziston vetëm pikëpresje. Nuk mund të kemi iluzione, duhet t’ia lëma vendin të tjerëve. “Pasi mora librezën e pensionit në spitalin ku kisha punuar 40 vjet, – rrëfen një profesor amerikan, – mora rrugën për në shtëpi. E çuditshme! Pemët, dyqanet, trotuaret, fasadat e pallateve, kalimtarët, më ofronin aq gjëra të veçanta që unë megjithëse e kisha bërë këtë rrugë prej 40 vjetësh, i shihja për herë të parë. Siç duket ishte hera e parë që unë nuk nxitoja, e para herë që ecja pa shqetësimin e zakonshëm të një mjeku për natën e kaluar nga i sëmuri në gjendje të rëndë, e para herë që kisha kohë të merresha me gjëra të tjera, të vogla, por jo të parëndësishme në jetë, e para herë që unë kisha kohë të mendoja se sa shumë kisha humbur në sakrificën time për jetët e të tjerëve”. Nuk e di sepse duke shkruar këta rreshta m’u kujtuan disa profesorë shqiptarë për meritën në edukimin profesional të shumë brezave dhe për faktin që kishin vdekur në anonimat të plotë, deri dhe nga qarqet spitalore. E dhimbshme! Asnjë rresht, asnjë fjali në shtypin tonë të shkruar apo elektronik për idhujt tanë profesionalë si Josif Adhami, Ilir Gjylbegu apo Ylvi Vehbiu, kur për një pakujdesi të një mjeku bëjnë gjykime ekstreme edhe përpara njerëzve të ligjit. E shëmtuar. A duhet të ndjehet më e detyruar karshi një jete në shërbim të jetëve të të tjerëve, të paktën nëpërmjet një mirënjohjeje, shoqëria jonë?
Për ç’arsye ne i detyrohemi kaq shumë mjekut?
Nuk është se vlera që ai na ka
shitur tejkalon çmimin
Me të cilin ne e kemi blerë, por sepse ai,
ka bërë diçka
Personalisht për ne, duke na dhënë
jo vetëm dijen e tij
Por edhe dhimbsurinë e dashurisë njerëzore
Seneka, “De Beneficiis”, VI, XVI

Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon Gazetën Shëndeti dhe kritikën tonë. Ndihmoje Gazetën Shëndeti - Mbështete median e pavarur kombëtare. Bëni donacion ose klikoni në reklama sepse me këtë mundësoni që kjo Gazetë të qëndroj online.


Reklama
loading...
Lexo edhe:

Postime e popullarizuara gjatë një jave

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Zbulohet sa është vlera e pagave që marrin infermierët e Kosovës në Gjermani

Klinika ku punojnë 7 shqiptarë të Kosovës, ndër 10 klinikat më të mira në Gjermani për trajtimin e infarktit trunor

QKUK dhe Spitalet Rajonale me mungesë të Anesteziologëve

Ja kush ishte Kirurgu i parë shqiptar në Kosovë

Të punosh si Mjek në Kosovë!

Kjo nënë kosovare i krahason mjekët dhe infermierët në Neonatologji me engjëj

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe mosha mesatare e mjekëve të mbetur në Kosovë

Skandaloze: Nëse të dhemb barku(kolikë abdominale) mjekët në Kosovë të udhëzojnë menjëherë te Kirurgu Abdominal për operacion

Postime e popullarizuara gjatë një muaji

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Skandaloze: Në Emergjencën e QKUK-së hapen raporte për kontrollë pa udhëzimin e mjekut

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Klinika ku punojnë 7 shqiptarë të Kosovës, ndër 10 klinikat më të mira në Gjermani për trajtimin e infarktit trunor

Skandaloze: Mjekët e Klinikës Emergjente kujdestarojnë 12 orë por paguhen për 24 orë

Në QKMF dhe Emergjencë (Mjekësi Familjare) shkelen të drejtat e punëtorëve

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe mosha mesatare e mjekëve të mbetur në Kosovë

Zbulohet sa është vlera e pagave që marrin infermierët e Kosovës në Gjermani

Të punosh si Mjek në Kosovë!

Kjo nënë kosovare i krahason mjekët dhe infermierët në Neonatologji me engjëj

Postime e popullarizuara që nga fillimi

6 arsye për të mos studiuar Mjekësinë

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Skandaloze: Në Emergjencën e QKUK-së hapen raporte për kontrollë pa udhëzimin e mjekut

Studim: Vitamina C në doza të larta shkatërron tërësisht kancerin

Pagat vjetore të Presidentit, Kryeministrit, Kirurgut, Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në vendet e ndryshme të botës

Dr. Leonard Bytyçi reagon ndaj postimit të Adriatik Kelmendit

Klinika ku punojnë 7 shqiptarë të Kosovës, ndër 10 klinikat më të mira në Gjermani për trajtimin e infarktit trunor

Mjeku shqiptar me 112 punime shkencore dhe gjashtë tekste universitare të publikuara

Dr. Gupta thotë, Askush nuk duhet të vdesë nga kanceri përveçse nga pakujdesia