Skip to main content
Protected by Copyscape

Shifrat alarmante, Elson Jacaj: 7 mijë infermierë të larguar në total


Shifrat alarmante, Elson Jacaj: 7 mijë infermierë të larguar në total

Voltiza Duro – Largimi i bluzave të bardha është kthyer në një fenomen tejet shqetësues për Shqipërinë. Prej janarit të 2019-ës e deri më tani janë larguar plot 2500 infermierë, ndërsa pritet që deri në fund të dhjetorit, numri i infermierëve të larguar të arrijë në 7 mijë në total. Shifrat alarmante zbardhen nga kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj, i cili thekson se pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës janë arsyet kryesore të largimit të punonjësve të shëndetësisë. Një tjetër shqetësim që ngre Jacaj është edhe ushtrimi i profesionit nga infermierë që nuk zotërojnë një diplomë apo licencë, e madje këta persona mund të gjenden edhe në QSUT. Ndërkohë, ka shumë punonjës shëndetësie që nuk punojnë në profilet përkatëse, e këtu kreu i Shoqatës së Infermierëve bën me dije se ka raste ku një infermier punon si mami në maternitet, apo një fizioterapist si infermier.
Sa është numri i infermierëve të larguar këto vitet e fundit nga Shqipëria, të cilët kanë arritur të nënshkruajnë kontrata pune jashtë vendit?
Numri i infermierëve të larguar deri në muajin dhjetor mund të arrijë rreth 7000 në total ku mbi 2500 janë vetëm këtë vit pasi ka qenë viti me largimet më masive që kur ka filluar eksodi i bluzave të bardha në Shqipëri.
Si paraqitet raporti i infermierëve të diplomuar për një vit me numrin e vendeve vakante të punës? Sa është përqindja e infermierëve që ngelen të papunë pasi diplomohen?
Faktikisht vendi ynë ka shumë universitete që kanë degë të Shkencave Mjekësore Teknike (pra infermier); janë mbi 10 IAL të tilla që minimalisht kanë 250 studentë secila pra kemi rreth 2500 infermierë çdo vit që dalin. Fatkeqësisht vendi ynë në një vit nuk ofron as 250 vende pune pra e llogarisni vetë sa të papunë mbeten. Edhe pse kemi sërish shumë largime jashtë vendit çuditërisht prapë shpallen shumë pak vende vakante kur realiteti është krejt ndryshe, por për shumë arsye bëhet një propagandë punësimi. Me hapjen e portalit në periudha të caktuara që nuk është asgjë tjetër vetëm plotësim i vendeve të mbetura bosh për shkak të largimeve, pra është plotësim i nevojave që kemi për infermierë e jo se po krijohen vende të reja pune.


Si funksionin portali Infermierë për Shqipërinë? Sa transparent është në punësimin bazuar në meritë?
Portali sa herë hapet shoqërohet me problematika fatkeqësisht, por më e çuditshmja është që dalin një numër i infermierëve fitues dhe plotësohen vendet vakante dhe pjesa tjetër që nuk punësohet lihet në listë pritje. Kur hapet sërish portali çuditërisht ata punësojnë ata që dalin fitues ndërkohë që duhet të punësoheshin ata që janë në listë pritje. Problemi është që ata që dalin fitues të parët në listë u thuhet të punësohen në zona të largëta nga banimi i tyre që si le zgjedhje të lirë e kjo bën që disa dhe pse dalin fitues refuzojnë pasi puna larg zonës së banimit ka shumë kosto për ta.
A bëhen punësime partiake të infermierëve? Dhe a punojnë në institucionet shëndetësore publike persona të pacertifikuar, që nuk zotërojnë licencën?
Nëse një infermier ndihet i vlerësuar për punën që bën në vendin e tij s’do të detyrohej të mendojë për t’u larguar. Presionet e ndryshme psikologjike, emocionale, profesionale etj. i kanë shtyrë drejt kësaj zgjidhje. Para ca kohësh pamë në Spitalin Universitar të Traumës ku me një urdhër absurd drejtori largoi nga puna Kryeinfermieren e Përgjithshme dhe pezulloi të gjithë kryeinfermierët e tjerë vetëm se diku i ishte cenuar interesi personal. Në QSUT ndodh e njëjta gjë duke ju bërë presion Infermierëve me transformime nga puna herë pas here apo duke punësuar infermier zëvendësues e më pas duke i larguar nga puna pa asnjë arsye. Shqetësimi ynë kryesor është që duhet sa më shpejt të merren masa për verifikimin e diplomave dhe licencave për një numër të madh infermierësh pasi jo vetëm në QSUT por në shumë spitale në Tiranë dhe rrethe, në qendra shëndetësore ushtrojnë profesionin infermierë (por që nuk kanë një diplomë për këtë profesion, apo ushtrojnë profesionin infermier pa licenca). Në maternitet ke infermierë meshkuj që punojnë sepse mamitë po largohen dita- ditës e s’ka kush i zëvendëson, ke fizioterapistë që punojnë si infermier, pra ai nuk punon në profilin e tij, por në pozicionin e një infermieri duke penalizuar infermierin që ka investuar për diplomën e tij. Ke të punësuar si infermierë që s’dinë të ushtrojnë profesionin gjë që lë për të dyshuar se si mund ta ketë fituar diplomën apo licencën duke mos qenë kaq i aftë. Ka aq shumë gjëra që nëse do gjenin zgjidhje do ju krijonin infermierëve hapësira dhe mundësi për të punuar në vendin e tyre e jo për tu larguar jashtë.
Në muajin prill të 2019-ës u premtua rritje pagash për bluzat e bardha, bazuar në tabelën e vlerësimit. A keni marrë deri tani shtesë page?
Sigurisht edhe paga duhet të rritet, është një premtim që çdo qeveri dhe çdo parti politike e premton vetëm në kohë fushate dhe zgjedhjesh e për t’u zbatuar nuk ndodh asnjëherë. Ashtu siç u premtua pas datës 1 prill pritëm rritje page, por që nuk ndodhi asnjëherë kjo rritje.
Sa është paga minimale për një infermier në Shqipëri krahasuar me Gjermaninë, që është shndërruar në vendin pritës për mijëra punonjës të shëndetësisë shqiptare?
Pagat në vendin tonë s’mund të krahasohen me asnjë vend pasi dhe Kosova dhe Maqedonia i kanë shumë më të larta se ne. Paga minimale e një infermieri në qendër shëndetësore është 350 mijë lekë të vjetra dhe maksimalja e një infermieri në Urgjencë apo reanimacion është 500-550 lekë të vjetra pra as sa 1/4 e pagës që Gjermania apo vende të tjera u ofrojnë infermiereve që shkon deri 2800 euro.
A keni vonesa pagash?
Zakonisht vonesat e pagës ndodhin gjithmonë në janar, por këtë herë dhe ky muaj ka pasur vonesa dhe pa asnjë informim për punonjësit as pse janë vonuar dhe as kur do mund të kalojnë pagat. Të indinjuar përballë kësaj situate infermierët i janë drejtuar Shoqatës së Infermierëve që t’i mbështesë.
Një tjetër problematikë që ju e keni ngritur më parë është bashkëpunimi i universitetit të Mjekësisë me qendrat e kurseve të gjuhës gjermane. Çfarë ndodh realisht dhe cilat janë përfitimet për secilën palë?
Nëse deri dje kjo ndodhte në mënyra të fshehta apo të sofistikuara tashme si Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, Tiranë kanë bërë një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani gjermane, e cila erdhi në QSUT duke përzgjedhur disa infermierë me eksperiencë për t’i punësuar në Gjermani. Pra, tani çdo investim që bëjnë universitetet që kanë degë të Shkencave Mjekësore Teknike është të përgatisin infermierë të cilët sapo mbarojnë do punësohen në Gjermani. Po ta vëmë re po lobohet që në këto universitete të futet dhe gjuha gjermane kjo për ta lehtësuar punësimin e infermierëve në Gjermani.
A kanë frikë infermierët të flasin për problematikat që i shqetësojnë gjatë punës?
Dua të theksoj se infermierët për çdo shqetësim që kanë dhe na kontaktojnë, gjëja e parë që thonë është “nuk flasim dot se na bëjnë presion me vendin e punës duke filluar që me masa administrative jo të drejta, me transferime nga vendi i punës e deri në shkurtim të vendit të punës. Pasi për një kategori infermierësh është dhënë urdhër për ndryshimin e strukturës së punës me tendencë duke bërë që kualifikimet e fituara të infermierëve që deri dje u paguheshin me krijimin e strukturave të reja i kanë zhveshur nga çdo kualifikim dhe titull që kanë duke i cilësuar si infermierë të thjeshtë e kjo ka bërë që të kenë ulje page deri në masën e 5 mijë lekëve. Kur ishte DSHP (Drejtoria e Shëndetit Publik), infermierët cilësoheshin specialistë e paguheshin me ndryshimin në NjVKS (njësia vendore e kujdesit shëndetësor); por tani cilësohen thjesht infermier dhe ju kanë ulur pagën me 5 mijë lekë të reja. Por të gjitha këto vijnë si pasojë e heshtjes që bëjnë sindikatat e infermierëve që vetëm marrin lekë kot e politizohen dhe heshtin para çdo padrejtësie. Infermierët duhet automatikisht të bëjnë kërkesa pranë drejtorive ku punojnë që mos të jenë më pjesë e asnjë sindikate pasi me dijeni të tyre ose me marrëveshje të fshehtë mes drejtuesve të Sindikatës dhe drejtorit të spitalit apo qendrës shëndetësore ju mbahen kuotat e anëtarësimit ndërkohë që asnjë sindikatë deri më sot nuk është ngritur të reagojë realisht për probleme që po bëjnë kaq shumë buje.

Cilat janë zgjidhjet që ju rekomandoni për të frenuar eksodin e infermierëve?
Nuk mund të themi që mundemi ta ndalojmë, por që sigurisht mundemi të ulim fluksin e ikjeve. Një mënyrë është ulja e kuotave të pranimit të infermierëve në universitete. Hapja e vendeve të reja të punës mund të ndikojë në frenimin e këtij fenomeni. Krijimi i kushteve më të mira të punës është një tjetër mënyrë, pasi nuk është e nevojshme të investohet për fasada të jashtme, por për kushte reale që një infermier të ndihet komod ndërsa ushtron profesionin. Duhet të rritet siguria në punë pasi ndihen të pasigurtë, të kërcënuar, dhunuar dhe ofenduar në çdo kohë; pavarësisht nismave të Ministrisë. Duhet një vlerësim i punës dhe figurës së infermierëve pasi jemi i vetmi vend që jo vetëm s’dimë ta vlerësojmë, por po e shkelim e po e nënvlerësojmë çdo ditë në forma të ndryshme. Duhen krijuar dhe zbatuar protokollet e punës; gjë që ne e kemi ngritur si shqetësim prej kohësh pasi infermierët punojnë pa një protokoll pune duke rrezikuar pacientin dhe veten njëkohësisht. Infermierit duhet ti paguhet vështirësia e punës, t’i paguhet dita e festës dhe fundjavave kur ai është në punë (gjë që nuk ndodh deri më sot). Nëse këto që janë të mundura të bëhen, realizohen e gjejnë zbatim real; jam i bindur që numri i infermierëve për tu larguar do ulet.


Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon Gazetën Shëndeti dhe kritikën tonë. Ndihmoje Gazetën Shëndeti - Mbështete median e pavarur kombëtare. Bëni donacion ose klikoni në reklama sepse me këtë mundësoni që kjo Gazetë të qëndroj online.


Reklama
loading...
Lexo edhe:

Postime e popullarizuara gjatë një jave

Ministria e Financave: Pagat e sektorit publik dalin me rritje

Dr.Sami Uka: Grevë? Kundër kujt?

Kirurgët ishin të parët që e kuptuan mashtrimin e madh që po bëhej me ligjin e pagave

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Skandaloze: Shnetëza sulmon Drejtorin e Radiologjisë, Dr.Bujar Gjikollin pa asnjë arsye ose të drejtë ligjore

Ligji për Pagat: Doktorët të premtën në grevë!

A do të dalin pagat me rritje: Vjen përgjigja nga Ministria e Financave

Dr.Arbër Morina: Kirurgët nuk janë në grevë

Ministria e Financave tregon kur do të ekzekutohen pagat me rritje

Mjekët janë me koeficientin më të lartë të inteligjencës

Postime e popullarizuara gjatë një muaji

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Basri Sejdiu: Sot fillon zbatimi i Ligjit të ri të Pagave, përfituesit më të mëdhenjë do të jenë profesionistët shëndetësor.

Skriptoret që gjenden afër fakultetit të Mjekësisë po e shkatërrojnë Mjekësinë

Specializantët bëjnë thirrje për mjekët e rinjë që të ikin drejt Gjermanisë

Kryesindikalisti i shëndetësisë: Priten veprime të paparashikueshme nga Sindikatat!

Ministria e Financave: Pagat e sektorit publik dalin me rritje

Të punosh si Mjek në Kosovë!

Dr.Sami Uka: Grevë? Kundër kujt?

Sot mbetëm me turp, ata na thonë “vëllezër e motra”, po ne si i trajtojmë “kosovarët”?

Kirurgët ishin të parët që e kuptuan mashtrimin e madh që po bëhej me ligjin e pagave

Postime e popullarizuara që nga fillimi

6 arsye për të mos studiuar Mjekësinë

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Skandaloze: Në Emergjencën e QKUK-së hapen raporte për kontrollë pa udhëzimin e mjekut

Studim: Vitamina C në doza të larta shkatërron tërësisht kancerin

Pagat vjetore të Presidentit, Kryeministrit, Kirurgut, Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në vendet e ndryshme të botës

Ja deklarata bombastike e Profesorit Afrim Blyta

Dr. Leonard Bytyçi reagon ndaj postimit të Adriatik Kelmendit

Klinika ku punojnë 7 shqiptarë të Kosovës, ndër 10 klinikat më të mira në Gjermani për trajtimin e infarktit trunor

Sjelljet e pacientëve në të shtetit dhe në privat