Skip to main content

“U tërbua me mjekët”, Nexhmije Hoxha rrëfen momentet e fundit të Enverit: Përplasja në Bllok, amanetet për Ramiz Alinë dhe kush do ishte pasuesi i tij


E veja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, rrëfen ditët e fundit të jetës së ish-diktatorit dhe shqetësimet e tij për të gjetur pasuesin. Në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmija rrëfen se pasuesi më i mundshëm ishte Hysni Kapo, por ndarja e tij nga jeta bëri që Enverit t’i shtohej dilema.
Në 9 prill 1985, Enver Hoxha bëri vdekje klinike dhe në 11 prill, ai vdiq. Menjëherë u mblodh Byroja Politike dhe me propozim të Adil Çarçanit, Ramiz Alia u zgjodh Sekretar i Parë i PPSH-së. Vetëvrasja e Mehmet Shehut e thjeshtoi skemën, ndaj Enver Hoxha caktoi Ramiz Alinë, 17 vjet më i ri se ai.
Por ky parapëlqim duket se kishte qenë para vetëvrasjes së Mehmet Shehut, aq sa ky i fundit kishte nisur të bëhej xheloz për faktin, që kur Enver Hoxha ishte i sëmurë, ishte Ramiz Alia ai që mbante kontaktet me të. Nexhmije Hoxha tregon për takimin që Enveri pati në shtëpi me Ramiz Alinë, Adil Çarçanin dhe Hekuran Isain dhe porositë që u la.
RAMIZ ALIA-PASUESI I ENVER HOXHËS
Megjithëse nuk është e shkruar, është e njohur se udhëheqës i Partisë së Punës zgjidhej një nga anëtarët e Byrosë Politike, i zgjedhur disa herë në Byro, për pjesëmarrjen dhe cilësitë e tij të manifestuara në Luftën Nacionalçlirimtare, si dhe për kontributin e gjatë në ndërtimin e socializmit.
Njëri nga këta që i përmbushte këto kritere, dhe kërkesa ka qenë Hysni Kapoja. Duke njohur aftësitë dhe cilësitë e Hysniut, nuk e përjashtoj që Enveri në mendjen e tij mund të ketë piketuar atë si njeriun, kuadrin, udhëheqësin që mund ta zëvendësonte. Por për këtë problem, Enveri nuk është shprehur ndonjëherë, nuk ka lënë ndonjë gjë të shkruar. As në bisedat me mua nuk e ka zënë në gojë një gjë të tillë. Unë e nxjerr këtë mendim nisur nga karakterizimi që Enveri i ka bërë figurës së Hysni Kapos, kur e cilëson atë si ‘një nga shtyllat e Partisë’.
Jo pa qëllim ai thoshte se: “Hysniu ishte një nga specialistët më të shquar për punët organizative, politike dhe ideologjike të Partisë”. Por vdekja e parakohshme e Hysni Kapos ia bëri shumë të vështirë Enverit kthjellimin e idesë, lidhur me zëvendësuesin e tij. Për më tepër, pak kohë më pas, ndodhi që nga radhët e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë u vetëlargua Mehmet Shehu.
Në këto kushte, kuadro të nderuar dhe me merita, anëtarë të Byrosë Politike ishin Adil Çarçani, Manush Myftiu, Rita Marko, Spiro Koleka, Haki Toska etj. Por këta ishin, tashmë, të moshuar, ndonjëri dhe me sëmundje të zemrës. Të tjerët ishin të rinj në funksione në udhëheqjen e lartë. Më i riu në moshë ishte Ramiz Alia, i cili qe 17 vjet më i ri se Enveri… Nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe Sekretarët e KQ., R. Alia ishte i vetmi që mbante kontakt me Enverin, kur ky ishte i detyruar të rrinte në shtëpi, pas krizave të zemrës.
Ramizi vinte në shtëpinë tonë, e informonte Enverin dhe merrte prej tij porositë e rastit. Më parë, kontakte të tilla me Enverin, sidomos pas infarktit të parë të vitit 1973, gjatë ditëve që ky nuk shkonte në zyrë, i kishte mbajtur vetëm Hysni Kapoja. Po ashtu, vetëm Hysniu mbante lidhje me grupin e mjekëve të Enverit dhe ndiqte procesin e sëmundjes së tij. Pas vdekjes së Hysni Kapos, këtë praktikë e ndoqi edhe Ramiz Alia, si Sekretar i KQ. Por këtë gjë nuk e përtypte dot M. Shehu, i cili si i hatërmbetur që ishte, e shprehte pakënaqësinë e tij.
Më kujtohet një rast, aty nga gjashtëmujori i parë i vitit 1981, kur shpërthyen demonstratat popullore të studentëve e të rinisë shqiptare në Kosovë. Enveri i ndoqi ato me shumë emocion dhe me mobilizim total, duke shkruar vetë dhe në bashkëpunim me Ramizin disa artikuj, njëri pas tjetrit, në mbështetje të kërkesave të demonstruesve, si “Kosova Republikë” etj.
Në një nga këto ditë, ai kaloi një krizë të rëndë zemre. Grupi i mjekëve pranë Enverit dërgoi njërin nga kolegët te M. Shehu, me një raport për gjendjen serioze të sëmundjes, ku i kërkonin Kryeministrit të jepte miratimin për disa aparate speciale, që mund të duheshin në rast keqësimi të gjendjes.
Mehmeti, pasi e lexoi raportin, u tërbua me mjekët pse nuk e kishin informuar më parë për gjendjen e rënduar të Enverit, madje i kërcënoi ata me shprehje aq të rënda dhe të paimagjinueshme, sa unë nuk mund t’i përsëris këtu…
Por, siç e kish zakon, Mehmeti më pas u zbut dhe i thotë mjekut: “Mirë, shkoni i raportoni shokut Ramiz dhe unë do të merrem me Llambi Ziçishtin për plotësimin sa më shpejt të kërkesave tuaja”.
I përmenda të gjitha këto, për të treguar se Enveri në vetvete, në njëfarë mënyre, e kishte paramenduar Ramiz Alinë si pasardhës të tij.
Këtë mendim timin unë e bazoj dhe në 2-3 momente, ku duket që Enveri e ka shprehur këtë, në një formë a në një tjetër.
Konkretisht: Momenti kur Enver Hoxha ia prezanton Ramiz Alinë prof. Pol Miliezit, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri. Kjo ndodhi nga fundi i vitit 1984, pas festimeve të 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Enveri, në atë kohë, e kishte marrë disi veten, shkonte në punë, shëtiste nga pak dhe në shtëpi shkruante apo regjistronte në diktofonin e tij të vogël të dorës.
Në nëntor, ai mori pjesë në ceremoninë zyrtare të 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, si dhe në Mbledhjen Solemne, ku ishin ftuar edhe miq të huaj. Ndër ta, ishte edhe prof. Pol Miliezi, mik i Shqipërisë, personalitet i njohur i Rezistencës Antifashiste franceze, kundër pushtuesve nazistë dhe i zgjedhur ministri i Shëndetësisë në Kabinetin e parë të De Golit. Por dr. Miliezi ishte edhe si mjek personal i Enverit, shërbim të cilin ai e kryente vetëm duke u informuar dhe duke bërë konsulta me mjekët tanë, kur vinte në Tiranë ose kur këta shkonin në Paris.
Mes dy familjeve tona, ishte krijuar një miqësi e ngushtë. Kur mbaruan festimet e 40-vjetorit të Çlirimit, para se prof. Miliezi të largohej nga Shqipëria, Enveri e ftoi për një takim, në shtëpi, por jo për kontroll mjekësor. Përveç meje, si bashkëshorte dhe zonjë shtëpie, Enveri kishte ftuar në këtë takim pikërisht Ramiz Alinë.
Përse vallë? Me sigurim donte ta njihte prof. Miliezin me të. Për Ramizin, mjeku francez nuk ishte i panjohur, por nuk kishte pasur rast të bënte drejtpërdrejtë me të. Pas përshëndetjeve me mysafirin, Enveri bëri prezantimin e Ramizit dhe pastaj u ulëm.
Më bëri përshtypje se Enveri e filloi bisedën me prof. Miliezin, duke i thënë: “Miku im, unë po plakem, me shëndet, siç ju e dini, nuk jam mirë, por ja, këta (dhe hodhi vështrimin nga Ramizi), shokë të rinj, që do të na zëvendësojnë. Kemi shokë në udhëheqjen e Partisë, që kanë marrë pjesë në Rezistencën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në moshë të re”. Këto fjalë më vunë në mendime.
Me ç’kuptova unë, Enveri e mendonte atë takim si një ndarje të tij me mjekun francez, por edhe si një rast për t’i dhënë Miliezit, si mik i Shqipërisë, një mesazh, të cilin ai mund t’ia transmetonte kujt të donte.
Pra, prania e Ramizit në takim nuk ishte thjesht për t’i prezantuar ata të dy, por për t’i përcjellë mikut francez atë mesazh tepër serioz e të rëndësishëm. Edhe pas këtij takimi, unë nuk ia zura në gojë Enverit këtë rast dhe as e pyeta lidhur me të. As me Ramizin nuk e bisedova ndonjëherë.
Më pas, Enveri dhe prof. Miliezi zhvilluan një bisedë të ngrohtë, për çështje nga më të ndryshme politike, kulturore etj. Duke ndjekur bisedën, unë do të vija re se dr. Pol Miliezit i lanë përshtypje të veçantë ato fjalë të Enverit, që i citova më sipër. Kjo u duk edhe në letrën që prof. Miliezi i dërgoi Enverit me të mbërritur në Paris (me 6 dhjetor 1984). Kjo letër flet shumë.
Ai i shkruante: “Faleminderit për shenjat e dukshme (des marques tangible) të besimit tuaj (votre confiance) dhe të dashurisë suaj (affection). Gruaja ime dhe unë vetë jemi shumë të prekur. Ju uroj jetë të gjatë, për të mirën e Shqipërisë së re. Kini mirësinë t’i transmetoni zonjës Hoxha nderimet e mia, të besoni në ndjenjat e thella që më lidhin me popullin tuaj të guximshëm dhe me ju”. (letra është e shkruar me dorën e tij, megjithëse e kishte të paralizuar, por pavarësisht nga shkrimi jo i bukur, për të cilin ai justifikohet në një nga letrat e shumta që ka marrë Enveri prej tij, profesori e bënte këtë në shenjë respekti, si francez dhe çdo intelektual me kulturë të lartë.)
Siç shihet nga letra, miku francez thekson besimin që Enveri shfaqi dukshëm ndaj tij. Me sa duket, ai i referohet faktit që në atë takim të fundit, Enveri i besoi atij një “lajm” të rëndësishëm, se ai “shoku i ri”, Ramiz Alia, ishte ai që do ta zëvendësonte… Moment tjetër është rasti kur Enveri ishte i sëmurë në shtëpi dhe priti në takim Ramiz Alinë, i cili erdhi pa lajmëruar.
Unë u habita dhe mendova gjatë për këtë, sepse Enveri, kur gjendej i shtrirë në krevat, në asnjë rast nuk priti ndonjë shok të Byrosë Politike a të Qeverisë, as për takim pune, siç e kishin rekomanduar mjekët. Ndërsa atë ditë, për Ramizin, ai bëri përjashtim, megjithëse sapo kishte kaluar krizën e zemrës. Më bëri përshtypje se ai e priti menjëherë. Ramizi kishte ardhur t’i merrte mendim Enverit lidhur me një provokacion të rëndë që kishte ndodhur nga ana e grekëve, në kufi. Ndërsa ata të dy bisedonin, unë vazhdoja të pyesja me vete: Përse, vallë, e bëri këtë përjashtim Enveri?
Kuptohet, nuk i rashë në sy, por një sinjal e mora prej tij, kur, pasi u largua Ramizi, Enveri tha: “I shkreti Ramiz, ç’barrë e madhe i ra në kurriz”.
Me sa kuptova, nuk e kishte fjalën thjesht për atë provokacion në kufi, por për një përgjegjësi shumë më të madhe që e priste Ramizin…
Krahas këtyre dy momenteve që përmenda, unë kam bindjen se Enveri e ka shprehur edhe më drejtpërdrejt mendimin e vet për Ramizin si pasues të tij, sidomos në rastin, kur ai thirri të vinin në shtëpi Ramiz Alinë, Adil Çarcanin dhe Hekuran Isain.
Ishte koha kur mendoj se Enveri qe bërë i vetëdijshëm për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore. Ai i thirri dhe i priti këta tre shokë në studion e tij, vetëm disa ditë a ndonjë javë para ndarjes fatale. Para se ata të hynin në dhomë, Enveri hoqi dhe futi pas krevatit shishet e serumit.
Pasi u përshëndet me shokët, ai zhvilloi me ta një bisedë të shkurtër dhe në fund u tha këto fjalë, që janë konsideruar si amaneti i fundit i Enverit:
“Ja shokë, jam i sëmurë, prandaj u vini krahët punëve… Ti, Ramiz, ndiq problemet politike të Partisë e Shtetit. Ti, Adil, ndiq zhvillimin e ekonomisë së vendit. Kurse ti, Hekuran, bëj kujdes për rendin publik të brendshëm dhe për sigurinë e vendit nga armiqtë e jashtëm”.
Më duket se në këto fjalë del fare qartë zgjedhja që kishte bërë Enveri për pasuesin e tij. Megjithatë, duke u treguar tepër korrekt me normat e vendosura në Parti, ai nuk u prononcua drejtpërdrejt dhe me emër për pasuesin, as në ndonjë forum partie, as nuk e la me të shkruar Kuptohet, zgjodhi rrugën që vetë strukturat drejtuese të Partisë të vendosnin për këtë.
Dhe, kur natyra do të bënte ligjin e vet, siç thoshte Enveri, më 11 prill 1985, Byroja Politike e KQ botoi komunikatën, ku i njoftonte popullit shqiptar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës dhe, pa vonesë, të nesërmen, mblodhi Plenumin e KQ, ku, në emër të Byrosë Politike, Adil Çarçani propozoi zgjedhjen e Ramiz Alisë si Sekretar i Parë të Partisë së Punës.
Propozimi u miratua unanimisht. Ndodhi ashtu, siç e dëshironte Enveri, në mënyrë dinjitoze, pa ndonjë ekses apo problem. Nën drejtimin e Ramiz Alisë, u organizuan homazhet, në sallën e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që vazhduan deri më 15 prill.
Për këtë ditë u zhvilluan në mënyrë dinjitoze ceremonia në Sheshin “Skënderbej”, ku pasuesi mbajti fjalimin e lamtumirës dhe tha shprehjen e paharruar: “Për Enverin nuk ka vdekje, ka vetëm ditëlindje”. Më pas u bë përcjellja e udhëheqësit në banesën e fundit, në varrezat e Dëshmorëve, në gjirin e Nënës Shqipëri. Në vitet e tranzicionit është ngritur shpesh pyetja: “Pse Enveri zgjodhi Ramiz Alinë si pasues të tij?”.
Madje, thonë se unë paskam ndikuar tek Enveri për zgjedhjen e Ramizit, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Unë iu përgjigja më sipër kësaj pyetjeje dhe dua të shtoj se për sa i përket asaj që flitet për ndikimin tim në këtë vendim të Enverit, nuk ia vlen fare të ndalem.
Sepse ajo është një thashethemnajë e sajuar nga njerëz, të cilët nuk e kanë idenë se në Partinë e Punës ishte e pakonceptueshme që vendimet zyrtare të saj të bëheshin paraprakisht objekt diskutimi në familje apo në bisedat bashkëshortore. Është qesharake të mendohet se unë, gruaja e Enverit, t’i thosha shokut tim të jetës “të lërë pasues këtë apo atë, pas vdekjes së tij!”.
Unë me Enverin dhe ai me mua nuk bisedonim kurrë se “ç’do të bëhet me mua dhe me fëmijët tanë, pas…”. Neve as na shkonte mendja dhe as nuk na e zinte goja të përmendnim vdekjen e tij e jo më të flisnim për emrin e atij që do ta zëvendësonte etj., etj….
Prandaj unë e hedh me neveri në shportën e marrëzive edhe këtë budallallëk të trashë. Ishin Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, pra, vetë strukturat drejtuese, ato që vendosën në funksionin e lartë të Udhëheqësit të PPSH-së, Ramiz Alinë, madje, pa filluar ende homazhet dhe ceremonitë për nderimin e Enver Hoxhës.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit

Postime e popullarizuara gjatë një jave

Djali i dëshmorit ia publikon certifikatën e lindjes: Fatmire Kollçaku është e bija e një serbe

Nënkryetarja e Kuvendit nga LVV i reagon ashpër Thaçit, ia publikon një foto që s’do të donte ta shihte kurrë

Tri vjet pa specializime në shëndetësi

Vetë shteti i detyron mjekët të ikin në Gjermani

Analisti serb: Kurti është i rrezikshëm për Serbinë, truri i tij i shpejtë si kompjuteri

Dr.Ibrahim Maliqi: Qeveria Kurti duhet të ketë kujdes, në të kundërtën shpresa vdes bashkë me të

Ja sa do ta ketë Kurti pagën nëse Kushtetuesja e lejon hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave

7 mjekë specialistë fillojnë punën në Spitalin Rajonal të Mitrovicës

A do të shkarkohet edhe Bordi Drejtues i SHSKUK-së?

Alarmante: 60 mjekë specialistë janë të papunë

Postime e popullarizuara gjatë një muaji

Djali i dëshmorit ia publikon certifikatën e lindjes: Fatmire Kollçaku është e bija e një serbe

Ramadani: Tutuni nga koronavirusi pasi të sëmuren mjekët

“Dhurata” e parë nga Kurti, merr vendim t’i ulë pagat që i rriti Haradinaj

Nënkryetarja e Kuvendit nga LVV i reagon ashpër Thaçit, ia publikon një foto që s’do të donte ta shihte kurrë

Dr.Arbër Kutllovci reagon për sulmin ndaj mjekut specializant Dr.Endrit Shala

Tetë të prekur nga meningjiti në Kosovë, ja cilat janë simptomat

Arrestohet mjeku/ Vdes 12-vjeçarja pasi i gjymtuan organin gjenital

Epike: 123 kontrolla mjekësore nga vetëm një doktor dhe dy infermierë brenda një orari të zakonshëm

Sjelljet e pacientëve në të shtetit dhe në privat

Drejtori i QKMF-së së Lipjanit, e tregon të vërtetën e videos, ku një e moshuar priste për ndihmë mjekësore

Postime e popullarizuara që nga fillimi

6 arsye për të mos studiuar Mjekësinë

Të vërtetat e tmerrshme të specializimit në QKUK-Prishtinë

Gabimi i mjekut të përgjithshëm dhe familjar rreth kolikës abdominale dhe kolikës renale

Skandaloze: Në Emergjencën e QKUK-së hapen raporte për kontrollë pa udhëzimin e mjekut

Studim: Vitamina C në doza të larta shkatërron tërësisht kancerin

Pagat vjetore të Presidentit, Kryeministrit, Kirurgut, Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në vendet e ndryshme të botës

Djali i dëshmorit ia publikon certifikatën e lindjes: Fatmire Kollçaku është e bija e një serbe

Ja deklarata bombastike e Profesorit Afrim Blyta

Sjelljet e pacientëve në të shtetit dhe në privat

Dr. Leonard Bytyçi reagon ndaj postimit të Adriatik Kelmendit